Orkestra Simfonike e Shkodrës do të çel sezonin artistik për këtë vit me një koncert të veçantë, i cili do të mbahet më 11 prill në Teatrin “Migjeni”. Ky koncert i parë i vitit i dedikohet një prej figurave më të mëdha të muzikës shqiptare, kompozitorit të shquar Tish Daija.
Përmes një konference për mediat, organizatorët ndanë detaje mbi këtë mbrëmje artistike, duke theksuar rëndësinë e rikthimit në skenë të veprave të një prej themeluesve të muzikës profesioniste shqiptare. Për figurën dhe kontributin e Tish Daisë u ndalën disa nga emrat e njohur të artit shqiptar.
Tish Daija mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, autor i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, si dhe një figurë kyçe në zhvillimin e muzikës klasike në vend.
