Konkursi i zërave “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë” uli siparin e tij me vlerësimet e dy jurive, profesioniste dhe junior për më të mirët. Fituesja e edicionit të 31-të u shpall Nivis Sulishti, duke u vlerësuar për interpretimin e saj të spikatur.
Një moment i veçantë ishte edhe përzgjedhja e 14-vjeçares Irsa Mashi, e cila fitoi mundësinë për të marrë pjesë në natën finale të festivalit “Festa e Këngës”, e përzgjedhur nga kantautori i njohur Gjergj Leka, njëkohësisht pjesë e jurisë dhe stafi i tij.
Në skenën e Teatrit “Migjeni” performuan 27 finalistë të ndarë në tre kategori sipas grupmoshave, nga klasa e parë deri në të nëntën. Për rëndësinë e këtij konkursi në evidentimin e talenteve u shpreh në përfundim të natës së dytë finale, drejtuesja Orjeta Kelaj.
Një moment emocional ishte edhe për prezantuesin Noel Hoxha, i cili mbylli këtë vit angazhimin e tij me Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”.
Në këtë edicion morën pjesë rreth 1200 fëmijë, duke kaluar në disa faza përzgjedhëse, çka e konfirmon “Bilbilat” si një nga hapësirat e rëndësishme për Shkodrën sa i përket zbulimit të talenteve të reja në muzikë.
