Me një sallë të mbushur plot, Teatri Migjeni priti natën e parë finale të edicionit të 31-të të konkursit “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”, një traditë e nisur nga mjeshtri i ndjerë Kujtim Alija për të promovuar talentet e reja në muzikë. Në këtë natë konkuruan 11 formacione korale të shkollave publike dhe jopublike të Shkodrës, si dhe 11 interpretues të këngës qytetare shkodrane.

Çmimi i parë për formacionet korale iu dha korit të shkollës “Zemra e Krishtit”, ndërsa në kategorinë e interpretuesve u shpall fituese Mei Hoxha, vetëm 6 vjeçe, njëkohësisht konkurentja më e vogël e këtij edicioni.

Konkursi i zërave, organizuar nga QKF “Kujtim Alija” do të vijojë me natën e dytë finale, ku do të konkurojnë fëmijë të klasave 1-9, të përzgjedhur nga faza gjysmëfinale ndërsa i gjithë aktiviteti do të transmetohet në ditët në vijim në rrjetin e RTSH.