Në prag të sezonit veror, bregdeti i Velipojës është kthyer në fokus të një aksioni të gjerë pastrimi, ku janë angazhuar nxënës, studentë, organizata, institucione dhe biznese, duke iu përgjigjur thirrjes së Bashkisë Shkodër.

Drejtori i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Shkodër, Altin Salihi, bëri të ditur se aksioni pritet të përfshijë mbi 1500 vullnetarë. Sipas tij, është hartuar një plan i detajuar organizimi që shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga zona e mbrojtur në derdhjen e Bunës deri në lagunën e Vilunit.

Ai theksoi se përtej ndërhyrjes konkrete në terren, ky aksion synon të rrisë ndërgjegjësimin qytetar për ruajtjen e pastërtisë në zonat turistike dhe mbrojtjen e mjedisit. Ky mobilizim i gjerë konsiderohet si një mesazh i fortë komunitar, duke treguar se Velipoja e nis sezonin turistik me përgjegjësi, angazhim dhe respekt ndaj natyrës.