Transporti publik në Shkodër hyn në një fazë të re organizimi, duke ofruar tashmë shërbim të rregullt çdo 20 minuta përgjatë gjithë ditës. Nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 22:00 të mbrëmjes, qytetarët kanë mundësi të lëvizin më lehtë, me një frekuencë të qëndrueshme dhe më të parashikueshme.

Përfaqësuesi i firmës së transportit publik, Melidion Dervishi, thekson se ky ndryshim synon rritjen e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimin e përvojës për qytetarët.

Ndërkohë, nga Bashkia Shkodër bëhet e ditur se organizimi i ri është menduar për të respektuar kohën e përdoruesve dhe për të garantuar një shërbim më funksional dhe të besueshëm.

Frekuenca e rregullt e autobusëve pritet të sjellë më shumë qetësi në lëvizje dhe ta kthejë transportin publik në një alternativë më praktike për përditshmërinë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e organizimit të jetës urbane në qytet.