Dinamo dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, në një përballje plot tension dhe emocione në stadiumin “Air Albania”, që u mbyll me rezultatin 1-1.
Protagonist absolut i kësaj sfide ishte sistemi VAR, ku Juxhin Xhaja ndërhyri disa herë duke ndryshuar vendimet e gjyqtarit kryesor Andi Koçi. Në pjesën e parë, fillimisht u akordua një penallti për Vllazninë, por vendimi u anulua pas rishikimit.
Megjithatë, shkodranët arritën të kalonin në avantazh me anë të Bismark, i cili konkretizoi një asist të saktë nga Kevin Dodaj, duke i dhënë epërsinë skuadrës së drejtuar nga Edi Martini.
Në pjesën e dytë, Dinamo fitoi një penallti, por portieri Jukaj u bë protagonist duke pritur goditjen e Bregut dhe duke mbajtur në lojë Vllazninë. Në minutën e 73-të, Dodaj gjeti rrugën e rrjetës, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të Gurishtës në nisje të aksionit.
Dramat kulmuan në minutat shtesë, të cilat zgjatën deri në minutën e 101-të. Fillimisht, pas ndërhyrjes së VAR, Gurishta u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Vllazninë me një lojtar më pak. Më pas, një tjetër penallti u akordua për Dinamon, ku këtë herë Bregu nuk gaboi, duke barazuar rezultatin në limite.
Gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, ku do të vendoset finalisti i Kupës së Shqipërisë.
