Një atmosferë reflektuese u krijua në Qendrën Kulturore “Mikel Koliqi” ku të rinjtë e Famullisë “Zoja e Shkodrës” sollën dramën “Këmbanat e Zgjimit”, nën regjinë e Simon Shkrelit.

Në këtë shfaqje u angazhuan edhe aktorët Tomasin Delija dhe Mark Hilaj, të cilët së bashku me të rinjtë sollën në skenë një interpretim me ngarkesë të fortë emocionale dhe reflektuese.

Disa nga protagonistët u përqendruan te mesazhi i shfaqjes së bazuar në veprën me motive nga “Fausti” i Gëtes, i cili trajton ekuilibrin mes së mirës dhe së keqes, një përballje e përhershme që shoqëron njeriun përgjatë jetës.

Shfaqja u realizua në kuadër të aktiviteteve festive për Pashkët dhe u mirëprit nga publiku, i cili e shoqëroi me duartrokitje të gjata në përfundim.