Shqipëria shënoi në vitin 2025 një arritje të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore, pasi lahuta u përfshi në listat e UNESCO-s si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje Urgjente. Vendimi i marrë e njeh “Artin e të luajturit, të kënduarit dhe të punimit të lahutës” si një pasuri të veçantë të kulturës shqiptare, të trashëguar ndër breza.

Megjithatë, përtej këtij vlerësimi ndërkombëtar, sfidë mbetet ruajtja dhe promovimi i saj në praktikë. Studiuesja Rita Shkurtaj thekson se nevojiten politika konkrete për ta mbështetur këtë trashëgimi.

Përfshirja në UNESCO sipas studiueses ka sjellë edhe një efekt pozitiv në rritjen e interesit për këtë instrument. Në këtë mënyrë, lahuta nuk mbetet vetëm një trashëgimi e së kaluarës, por po rikthehet gradualisht në vëmendjen e publikut, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.