Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka dalë me një deklaratë zyrtare në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët kërkojnë të drejtën për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe.
Në reagimin e institucionit, theksohet se e drejta për arsimim dhe vlerësim në gjuhën amtare është një e drejtë themelore, e mbrojtur nga instrumente ndërkombëtare si Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, Karta Europiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare dhe Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare. Sipas universitetit, këto dokumente garantojnë barazi dhe mosdiskriminim në shoqëritë demokratike.
Deklarata nënvizon se në rastet kur studimet zhvillohen në një gjuhë të caktuar, është legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të realizohet në të njëjtën gjuhë. Çdo kufizim i kësaj të drejte, sipas universitetit, rrezikon të krijojë pabarazi dhe të cenojë standardet e drejtësisë në arsim.
Universiteti i Shkodrës mbështet zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për të drejtat gjuhësore dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse në Maqedonia e Veriut që të ofrojnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se respektimi i të drejtave themelore është një element kyç në rrugën e integrimit europian, ndërsa shumëgjuhësia duhet të shihet si vlerë që forcon bashkëjetesën dhe mirëkuptimin shoqëror. Deklarata është firmosur nga rektori i universitetit, Tonin Gjuraj.
Deklarata e plotë e Universitetit “Luigj Gurakuqi”
Deklaratë
Universiteti i Shkodrës «Luigj Gurakuqi» shpreh mbështetjen e tij të plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë garantimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës amtare në proceset arsimore dhe profesionale.
E drejta për arsimim dhe vlerësim në gjuhën amtare është e sanksionuar në instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, siç parashikohet në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (neni 14 dhe Protokolli nr. 1, neni 2), në Kartën Europiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare (neni 8 si dhe në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare (nenet 10 dhe 14) Këto dokumente përcaktojnë qartë se respektimi i të drejtave gjuhësore është pjesë përbërëse e barazisë dhe mosdiskriminimit në shoqëritë demokratike.
Në këtë kuptim, kur studimet zhvillohen në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të realizohet në të njëjtën gjuhë, në përputhje me parimet e barazisë së mundësive dhe të trajtimit të drejtë.
Kërkesa e studentëve shqiptarë për zhvillimin e provimeve shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson ushtrimin e një të drejte të njohur dhe të mbrojtur ligjërisht. Çdo kufizim i kësaj të drejte rrezikon të krijojë pabarazi në zhvillimin e tyre profesional dhe të cenojë standardet e drejtësisë në arsim.
Universiteti i Shkodrës «Luigj Gurakuqi» mbështet çdo përpjekje që synon zbatimin e plotë të këtyre standardeve dhe garantimin e të drejtave gjuhësore në praktikë. Në këtë frymë, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të veprojnë në përputhje me detyrimet ligjore dhe me parimet e shtetit të së drejtës, duke ofruar zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë një synim të përbashkët për të ecur përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, një proces që kërkon respektimin e të drejtave themelore dhe të parimeve demokratike. Në këtë kuadër, shumëgjuhësia duhet të kuptohet jo vetëm si një detyrim që buron nga rregullat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe si një vlerë dhe pasuri e shoqërisë, që nxit mirëkuptimin, forcon bashkimin shoqëror dhe ndihmon në ndërtimin e një jete të përbashkët më të drejtë për të gjithë...
Rektori i Universitetit të Shkodrës «Luigj Gurakuqi»
Prof. Dr. Tonin Gjuraj
#UniversitetiShkodrës #UNISHK #GjuhaShqipe #TëDrejtatENjeriut #Arsim #Barazi #Mosdiskriminim #MaqedoniaeVeriut #Shqipëria #BashkimiEuropian #Shumëgjuhësia #EArdhmjaEuropiane
