Në ato kohë, Pashkët festoheshin tre ditë. Por më parë ishin shtatë javë Kreshmë, gjatë të cilave nuk konsumohej mish. Më vonë, Kisha, duke parë nevojën e punëtorëve të krahut, lejoi konsumimin e mishit tri herë në javë: të hënën, të martën dhe të enjten përveç ditës së diel.
Gjatë Javës së Madhe, nga e hëna deri të shtunën, çdo familje, edhe ajo më e varfra, përgatitej duke mbledhur vezë për të bërë “përpeq”, sipas zakonit të vendit, dhe e konsideronin të detyrueshme që ta përgatisnin dhe ta çonin për bekim në Kishën e Madhe.
Në vetvete, përpeqi nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, por më tepër një zakon i veçantë i Shkodrës. Ai ishte një lloj ëmbëlsire e përgatitur vetëm me vezë të rrahura mirë, të përziera me qumësht. Kjo masë rrihej përsëri dhe hidhej në një tepsi bakri me anë të larta, e cila përdorej posaçërisht për përpeq. Më pas futej në furrë për pjekje dhe, kur ishte gati, sipër formonte një shtresë pak të trashë, por të butë.
Dita e shtunë ishte më karakteristikja e kësaj feste, pasi të gjitha gratë merreshin me përgatitjen e përpeqit. Në çdo shtëpi kishte një gjallëri të madhe, ku gratë ndihmonin njëra-tjetrën dhe ndiznin furrat, të cilat në atë kohë, shumica i kishin në shtëpitë e tyre. Ata që nuk kishin furrë, shkonin te fqinjët, pasi nuk ishte zakon që ushqimet të piqeshin te furrtarët, ndryshe nga sa ndodh sot.
Gjithashtu, lyheshin dhe ngjyroseshin vezë të kuqe dhe me ngjyra të tjera, të cilat u jepeshin fëmijëve. Ky ishte gëzimi i tyre më i madh, pasi bënin shumë vizita te të afërmit dhe fqinjët dhe merrnin shumë vezë. Më pas dilnin në rrugë për të luajtur duke përplasur vezët me njëri-tjetrin, ku fitonte ai që kishte vezën më të fortë.
Në atë kohë, zakoni i vizitave ishte shumë i përhapur, jo vetëm te të afërmit, por në të gjithë lagjen. Njerëzit shkonin në grupe prej dhjetë vetash ose më shumë. Nuk përdoreshin karriget, ndaj njerëzit uleshin në tokë mbi qilima dhe jastëkë.
Në këto raste, kur kishte shumë njerëz, nuk shërbehej kafe, por vetëm një filxhan raki, i cili kalonte nga njëri te tjetri, thjesht për të bërë urime. Kjo ishte një praktikë jo shumë higjenike, pasi të gjithë pinin nga i njëjti filxhan, i cili ishte i posaçëm për këtë rast.
Në fund, për ta mbyllur festën me harmoni, ishte zakon që njerëzit të mblidheshin në një shtëpi për të festuar me këngë dhe hare deri në mesnatë. Kështu përfundonte festa e Pashkëve.
Ky material bazohet në librin “Po shkruej për vedi e Shkodrën” nga Simon Rrota, i cili i referohet jetës në Shkodrën e fundshekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX.
