Teatri “Migjeni” ka publikuar kalendarin artistik të prillit, me një program të larmishëm aktivitetesh që përfshin shfaqje teatrore, komedi, musical, recital dhe koncert simfonik. Në axhendën e këtij muaji bien në sy produksionet “Pesë fytyrat e heshtjes”, “Kukulla”, “Komshinjtë”, “Poenia”, si edhe finalja e “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”.

Aktivitetet nisin në datat 3–5 prill me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, e cila do të prezantohet më 3 prill në Ferizaj, më 4 prill në Prishtinë dhe më 5 prill në Gjakovë. Më 8 dhe 9 prill, në Teatrin “Migjeni” do të zhvillohet faza finale e aktivitetit “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”, ndërsa më 11 prill publiku do të ketë mundësi të ndjekë koncertin simfonik “Tish Daija”.

Programi vijon më 12 prill me shfaqjen teatrore “Kukulla”, më 18 prill me recitalin e Hajro Pepajt “Një jetë me këngë”, si dhe më 19 prill me komedinë “Komshinjtë”. Në fund të muajit, më 25 prill do të prezantohet “Kënga Jonë”, më 26 prill musical-i “Poenia” dhe më 27 prill shfaqja teatrore “Buongiorno”.

Ky kalendar dëshmon angazhimin e Teatrit “Migjeni” për të sjellë një muaj të pasur artistik, duke ofruar për publikun shkodran dhe më gjerë një mozaik aktivitetesh kulturore që përfshijnë gjini dhe forma të ndryshme të artit skenik.