Partizani–Vllaznia është kryendeshja e Javës së 30-të në “Abissnet Superiore”, një duel që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në objektivat e sezonit për të dy skuadrat. Kuqeblutë udhëtojnë drejt kryeqytetit për një transfertë të vështirë, përballë një Partizani në formë, që nuk njeh humbje në kampionat që nga Java e 21-të, pikërisht ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”.
Në prag të kësaj sfide, për herë të parë këtë sezon në konferencën për mediat u shfaq Andrey Yago, i cili theksoi rëndësinë e ndeshjes dhe përgatitjen e skuadrës.
“E dimë rëndësinë e ndeshjes me Partizanin për të vazhduar drejt objektivit të skuadrës. Jemi gati për të shpalosur në fushën e lojës gjithë përgatitjen që kemi realizuar në seancat stërvitore. Kjo ndërprerje e kampionatit për shkak të Kombëtares na ka ndihmuar në aspektin fizik dhe psikologjik,” thekson Yago.
Sa i përket gjendjes së Lirim Kastratit, Yago u shpreh se ende nuk ka një përgjigje konkrete për rikuperimin e tij, duke uruar që sulmuesi të rikthehet sa më shpejt pas dëmtimit të pësuar ndaj Egnatias.
Një tjetër shqetësim për Vllazninë mbetet mungesa e golit, me skuadrën që nuk ka shënuar në tre ndeshjet e fundit. Megjithatë, Yago shfaq besim për rikthimin te rrjeta.
“Çdo ndeshje po bëhet përherë e më e vështirë. Kundërshtarët na kanë studiuar mirë sidomos në fazën ofensive. Sidoqoftë ne duhet të jemi të qetë para portës në mënyrë që të arrijmë te goli i dëshiruar sepse rastet i kemi patur gjithnjë. Ne ndihemi gati për ndeshjen dhe për t’u rikthyer te fitorja, sidomos në këtë pikë të sezonit ku skuadrat kërkojnë të arrijnë synimet e tyre,” shprehet Yago.
Statistikat e 10 përballjeve të fundit janë në favor të kuqebluve, me 4 fitore për Vllazninë, 2 për Partizanin dhe 4 barazime.
