Në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër u zhvillua një aktivitet muzikor i veçantë, i ideuar nga muzikologu Qamil Gjyrezi në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Edukimit. Koncerti solli në vëmendje rëndësinë e edukimit muzikor si një element kyç në formimin kulturor dhe shoqëror të brezave të rinj.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin studentë të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Kori i shkollës “Branko Kadia”, Orkestra e shkollës “Prenkë Jakova”, si dhe këngëtarë të rinj që interpretuan pjesë të repertorit shkodran, me fokus të veçantë te ahengu.
Artistët e rinj që morën pjesë në këtë koncert u shprehën të vlerësuar për mundësinë për të kontribuar dhe për të promovuar muzikën tradicionale të qytetit. Ata theksuan se aktivitete të tilla janë një nxitje e fortë për të vijuar rrugën artistike dhe për të ruajtur identitetin kulturor.
Ky koncert u konceptua si një ndërthurje mes traditës dhe inovacionit, duke dëshmuar se muzika shkodrane vijon të mbetet një burim frymëzimi dhe edukimi për brezat e rinj.
