Në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër u zhvillua një takim me aktivisten nga Shkupi, Emira Selimi, themeluese e bibliotekës së librit shqip në Manastir, një nismë që po jep kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
E ftuar për të ndarë përvojën e saj me studentët, Selimi rrëfeu rrugëtimin e realizimit të kësaj ideje, e cila mori jetë në vitin 2023 dhe që sot funksionon edhe si qendër komunitare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Aktivistja u shpreh se, pavarësisht rëndësisë së kësaj nisme, nuk ka gjetur mbështetje nga institucionet në Maqedoninë e Veriut.
Takimi u zhvillua në kuadër të një iniciative të pedagoges Elinda Dibra, në lëndën “Identitet dhe Multikulturalizëm” me studentët e ciklit të ulët.
Prania e Emirës u vlerësua nga studentët si një shembull frymëzues, që dëshmon se me përkushtim dhe vullnet, idetë e mira mund të kthehen në realitet dhe të sjellin ndikim konkret në shoqëri.
