Në kuadër të 35-vjetorit të ngjarjeve të 2 prillit 1991, është bërë thirrje për pjesëmarrje në ceremoninë përkujtimore në nder të katër dëshmorëve të demokracisë.
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Blerina Kraja, ka ftuar qytetarët e Shkodrës të jenë pjesë e aktivitetit që do të zhvillohet më 2 prill, në orën 11:00.
Në mesazhin e saj, Kraja thekson se kjo datë shënon një moment të rëndësishëm në historinë e vendit, kur rinia shkodrane u ngrit në mbrojtje të votës së lirë dhe të demokracisë.
Ngjarjet e 2 prillit 1991 mbeten ndër më të dhimbshmet, pasi katër të rinj – Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu humbën jetën, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas saj, sakrifica e tyre mbetet një thirrje për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat themelore. Në ceremoninë përkujtimore pritet të marrë pjesë edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
