Në mbledhjen e radhës së Senatit Akademik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, rektori Tonin Gjuraj ka bërë të ditur disa nga prioritetet kryesore të institucionit për periudhën në vijim.

Gjatë fjalës së tij, ai u ndal te angazhimi i universitetit në panairin “Work and Study”, një nismë që synon të afrojë studentët me tregun e punës dhe të krijojë ura bashkëpunimi me bizneset. Po ashtu, Gjuraj theksoi rëndësinë e lirimit të hapësirave publike përpara godinave të universitetit, si një hap drejt përmirësimit të kushteve për studentët dhe qytetarët.

Në vijim, rektori bëri të ditur se universiteti i Shkodrës pritet të nënshkruajë një marrëveshje zyrtare bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, duke synuar forcimin e shkëmbimeve akademike, projekteve të përbashkëta dhe rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Marrëveshja mes dy universiteteve më të vjetra në vend konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndëruniversitar dhe integrimit më të madh të studentëve në programe të përbashkëta studimi dhe kërkimi shkencor.