Afërsisht në të njëjtën kohë me Camajn do të shkruante në heshtjen e tij desidente, hermetiku i parë i letërsisë shqipe, Zef Zorba. Ai, me librin e vet “Buzë të ngrime në gaz” paraqet poetin që në kushtet e izolimit total, “arrin të ndjekë hap pas hapi kohën e vet, atë kohë që lëvizte aq vrullshëm përtej kufijve”. 

Me vargjet e tij të panjohura në letërsinë shqipe, vargje këto me një natyrë të komplikuar stilistike, të vështira për t’u kuptuar pa patur një përgatitje e qartësi estetike, ai është i gjithi larg poezisë tradicionale. Ndaj themi se Zorba është i pari poet hermetik shqiptar që jetoi e krijoi brenda vendit të vet.

Ardian Ndreca në “Zef Zorba: Një poet i lindun në kohna të mbrapshta”, “Hylli i Dritës”, 1-2010, shprehet: “Zef Zorba, së bashku me Martin Camajn, janë të vetmit poetë të mirëfilltë hermetikë që ka letërsia jonë bashkëkohore”. Kuptueshëm vepra e tij u njoh vetëm në vitin 1994, botuar nën kujdesin e Stefan Çapalikut, një libër ky, jo vetëm i shkruar një gjysëm shekulli para botimit, por edhe i harruar për po aq kohë, “tue qenë që atëherë pranë nesh, jo vetëm në kohën fizike, por edhe në atë estetike”. 

Çuditërisht pra, edhe pse i ndryer “hermetikisht” në “parajsën” e socializmit, poezia e Zorbës nuk e vuajti izolimin, përkundrazi ka vetëdijen e teknikave moderne bashkëkohëse “të mjeshtërisë së një Ungareti, apo një Kuazimodos, të forcës shprehëse të një Debysije, apo të një Faureje”. (“Shpejto prandverë! / Kjo shpresa a’i tharm që shpirtin brenë ma keq/ se urithi dhenë”.) 

Zorba zgjodhi rrugën e shkrimit të një poezie që i çlironte shpirtin dhe i konfirmonte qënien e tij si njeri i lirë. Në vitin 1996, juria prestigjoze e vlerësimit të veprave letrare i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj”, për vëllimin poetik “Buzë të ngrime në gaz”, me këtë motivacion: “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipëri që artistikisht dhe moralisht e rimerrshin fillin e këputur” të vazhdimësisë së letërsisë shqipe dhe e rimëkëmbnin lidhjen me rangun e saj të lartë që kishte fituar me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi”.

Regjisor i vendosjes në skenë të “Juda Makabe” të Fishtës me Shtëpinë e Kulturës në vitin 1945. Zef Zorba është edhe autor i libretit të operës “Rozafa”, të të riut të talentuar të asaj kohe, Ndoc Pistullit, vepër kjo që lindi dhe mbeti në errësirën e diktaturës, e që s’mund t’i vihej në skenë autorëve me “cene” në biografi.

Duke shfrytëzuar rastin të shkruaj diçka për autorët e talentuar të kësaj opere, Ndoc Pistullin e Zef Zorbën, shtojmë se vepra ishte një bashkëpunim i frytshëm i dy mjeshtrave të talentuar, që njihnin mirë e realizuan mjeshtërisht në vepër elementët përbërës të një opere: ariozën, arien, duetin, trion, kuartetin, koralet si dhe momentet e gjetura në kohë e vend për përshkrimin e situatave vetëm përmes orkestraleve. Legjenda e Rozafës është trajtuar në vepër, jo duke mbetur në legjendën, së cilës i afrohet dhe i largohet, duke ia mbërritur një përgjithësimi artistik.

Muzika e operës së Ndoc Pistullit, e analizuar nga njohës e mjeshtra të kësaj gjinie të muzikës, rezulton një krijim me vlera funksionale artistike, deri në orkestracionin mjeshtëror të Pistullit ku shquhet tingëllimi modern në “Tutti orchestra”.