Bashkia Shkodër ka nisur përgatitjet për sezonin turistik veror në Velipojë, duke e konsideruar këtë zonë si një nga prioritetet kryesore për zhvillimin e turizmit. Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, i shoqëruar nga stafi drejtues, ka zhvilluar një inspektim në terren për të parë nga afër gjendjen aktuale dhe për të përcaktuar masat konkrete që do të ndërmerren.

Gjatë këtij inspektimi u diskutua një plan i detajuar ndërhyrjesh, që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e standardeve për pushuesit. Në fokus janë vendosur përmirësimi i hapësirave publike, menaxhimi më efikas i mbetjeve, organizimi i vijës bregdetare dhe krijimi i një sistemi më funksional për parkimin publik.

Velipoja mbetet një ndër destinacionet më të frekuentuara gjatë verës dhe Bashkia synon që përmes këtyre ndërhyrjeve të ofrojë më shumë cilësi shërbimi dhe një eksperiencë më të mirë për turistët vendas dhe të huaj.

Në bashkëpunim me bizneset lokale, pritet që këtë sezon turistik Velipoja të vijë më e organizuar, më e pastër dhe më tërheqëse, duke forcuar pozicionin e saj si një nga destinacionet kryesore turistike në veri të vendit.