Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, në Shkodër është lançuar aktiviteti “Ngjyra që flasin #ndryshe”, një nismë që ndërthur artin me solidaritetin për të mbështetur fëmijët në spektrin e autizmit.

Në qendër të kësaj nisme janë vetë fëmijët, të cilët përmes krijimtarisë së tyre: pikturave dhe punimeve artizanale, shprehin botën e brendshme, por njëkohësisht kontribuojnë në një kauzë të rëndësishme. Çdo punim i realizuar dhe i shitur gjatë aktivitetit do të shërbejë si mbështetje konkrete për terapitë e nevojshme për zhvillimin e tyre.

Organizatorja e aktivitetit, Sanida Kraja, thekson se kjo nismë është një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim nga komuniteti, duke i ftuar të gjithë të kontribuojnë përmes gjesteve të vogla që sjellin ndryshim të madh.

Ndërkohë, terapistja e zhvillimit Dea Kraja nënvizon sfidat me të cilat përballen familjet, duke theksuar se terapitë për fëmijët në spektrin e autizmit janë jetike, por shpesh të vështira për t’u përballuar për shkak të kostove dhe kushteve sociale.

Në këtë dimension human, krijuesja Jozefina Delija përcjell mesazhin se çdo veprim i vogël i bërë me dashuri ka një ndikim të madh në jetën e këtyre fëmijëve.

Aktiviteti do të nisë më 2 prill, në orët e pasdites, dhe është i hapur për të gjithë fëmijët që dëshirojnë të bëhen pjesë. Të ardhurat e mbledhura do të shkojnë 100% për mbështetjen e terapive për fëmijët në spektrin e autizmit, duke e kthyer këtë nismë në një shembull konkret të solidaritetit dhe përkujdesjes në komunitet.