Shërbimet digjitale kanë mbërritur në Kinema “Republika”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të ofertës kulturore në qytet. Tashmë qytetarët mund të blejnë dhe rezervojnë biletat online, përmes një platforme të dedikuar që synon të shmangë radhët dhe të ofrojë akses të shpejtë në përzgjedhjen e filmave dhe orareve.

Drejtuesja e kinemasë, Egena Zymeri, e konsideron këtë risi si një hap të domosdoshëm drejt përmirësimit të përvojës së publikut dhe përshtatjes me kohën digjitale.

Platforma është realizuar nga i riu shkodran Fation Mashi, pjesë e stafit të kinemasë, i cili ka punuar për disa muaj për ndërtimin dhe funksionalizimin e saj.

Ky investim në digjitalizim pritet të rrisë interesin e publikut për aktivitetet kinematografike dhe ta pozicionojë Kinema “Republika” si një model bashkëkohor në ofrimin e shërbimeve kulturore në Shkodër.