Këshilli Bashkiak i Shkodrës zhvilloi mbledhjen e radhës për muajin mars, ku miratoi një paketë të gjerë prej 13 vendimesh që prekin drejtpërdrejt jetën ekonomike, sociale dhe zhvillimin afatmesëm të qytetit.

Në fokus të vendimmarrjes ishte mbështetja për shtresat në nevojë, ku u miratua përdorimi i fondit shtesë për ndihmën ekonomike, si dhe u përcaktua masa e qirasë mujore për banesat sociale. Po ashtu, u bënë ndryshime në listën e përfituesve të subvencionit të qirasë për familjet që nuk përballojnë tregun e lirë.

Në aspektin financiar, Këshilli miratoi ndryshime në buxhetin e vitit 2026 dhe programin buxhetor afatmesëm, si dhe raportin e monitorimit të zbatimit të buxhetit të vitit 2025. Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte edhe miratimi i tavaneve përgatitore të shpenzimeve për periudhën 2027–2029.

Mbledhja trajtoi edhe çështje të transparencës dhe menaxhimit të territorit, duke miratuar programin e transparencës në Bashkinë Shkodër dhe planin për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në fondin pyjor dhe kullosor.

Në planin social dhe zhvillimor afatgjatë, u miratuan disa dokumente strategjike, përfshirë planin 5-vjeçar të strehimit social 2026–2030, planin e mbrojtjes sociale, planin lokal të rinisë dhe planin vendor për barazinë gjinore. Gjithashtu, Këshilli vendosi ndryshime në planin lokal për veprimin ndaj zhurmës në mjedis, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.