Është shpallur edicioni i pestë i konkursit letrar “Gegnisht” për vitin 2026, një iniciativë që promovon krijimtarinë në gegnisht dhe që pritet të kulmojë me një mbrëmje të veçantë letrare në qytetin e Shkodrës.

Ky konkurs u drejtohet poetëve, prozatorëve, përkthyesve dhe studiuesve që shkruajnë në gegnisht, duke synuar të ruajë dhe zhvillojë këtë pasuri të rëndësishme gjuhësore e kulturore. Tema e punimeve është e lirë, ndërsa kushti kryesor mbetet që tekstet të jenë të pabotuara më parë dhe të shkruara në gegnisht.

Në këtë edicion, pjesëmarrësit mund të konkurrojnë në katër kategori: poezi, prozë e shkurtër, përkthim dhe ese.

Fituesit do të vlerësohen me çmime që mbajnë emrat e figurave të njohura të letrave shqipe, si “Ndre Mjeda” për poezinë më të mirë, “Ernest Koliqi” për prozën, “Gjon Shllaku” për përkthimin dhe “Arshi Pipa” për esenë më të mirë.

Tekstet mund të dërgohen në adresën elektronike konkursigegnisht@gmail.com, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e materialeve është 30 prill 2026.

Organizatorët bëjnë me dije se emrat e anëtarëve të jurisë, që do të përbëhet nga përfaqësues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, do të publikohen në ditët në vijim. Ky konkurs synon të nxisë krijimtarinë dhe të mbajë gjallë traditën e gegnishtes në letërsinë shqipe.