Transhumanca, një nga praktikat më të hershme të jetës rurale në Shqipëri, po vlerësohet gjithnjë e më shumë si një pasuri kulturore dhe ekonomike, por njëkohësisht edhe si një traditë në rrezik për shkak të ndryshimeve sociale dhe zhvillimeve globale.

Ekspertja e mjedisit dhe pedagoge në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Valbona Karakaçi, thekson se kjo trashëgimi, ndonëse e mbrojtur nga UNESCO, përballet me sfida serioze.

Ndërkohë, për Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ruajtja e trashëgimisë baritore dhe forcimi i identitetit kulturor mbeten prioritete të rëndësishme. Në kuadër të saj, u organizua edhe një konferencë shkencore ndërkombëtare.

Rektori Tonin Gjuraj theksoi se kërkimi shkencor dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë thelbësorë për promovimin dhe mbrojtjen e kësaj tradite.

Transhumanca, si praktikë e lashtë e lëvizjes sezonale të njerëzve dhe bagëtive për kullota, u përfshi në vitin 2023 në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, një vendim që e rreshton Shqipërinë mes vendeve që mbrojnë dhe promovojnë këtë traditë.