Një rast tronditës i keqtrajtimit të kafshëve është regjistruar në Vlorë, ku një qen endacak është qëlluar me disa plumba arme gjahu nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas të dhënave, kafsha ishte vetëm një muajshe në momentin e ngjarjes, ndërsa aktualisht është tre muajshe dhe vijon të përballet me pasojat e plagëve të marra. Pavarësisht dhimbjeve të mëdha, ajo ka arritur të mbijetojë dhe është transportuar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Rasti është denoncuar nga animalistja vullnetare Entela Guberaj, e cila ka ngritur shqetësimin për dhunën e vazhdueshme ndaj kafshëve endacake dhe mungesën e përgjegjësisë nga individë të caktuar.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, duke rikthyer vëmendjen te nevoja për ndërgjegjësim dhe mbrojtje më të madhe ndaj kafshëve të rrugës. Autoritetet pritet të nisin hetimet për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë.