Një hapësirë e rëndësishme publike është rikthyer në funksion të komunitetit pranë shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda”, pas një aksioni të ndërmarrë këtë të hënë për largimin e ndërtimeve dhe pengesave që prej rreth 30 vitesh kufizonin ambientin përreth institucionit arsimor.

Gjatë ndërhyrjes u bë e mundur lirimi i zonës përpara godinës së shkollës, duke krijuar më shumë hapësirë dhe duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë për nxënësit dhe banorët e zonës. Ky veprim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e standardeve të lëvizjes dhe aksesit në një nga pikat më të frekuentuara të lagjes.

Aksioni u ndoq nga afër nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili theksoi se lirimi i hapësirave publike në funksion të shkollave dhe komunitetit do të vijojë si një prioritet i pandërprerë i institucionit vendor.

Ndërkohë, shkolla “Ndre Mjeda” ka përfituar së fundmi një investim të plotë nga qeveria shqiptare, duke u transformuar në një ambient modern dhe funksional për zhvillimin e procesit mësimor. Ky transformim, i kombinuar me lirimin e hapësirës përreth, përforcon sigurinë dhe cilësinë e jetës për nxënësit, stafin pedagogjik dhe komunitetin përreth.