Në ambientet e sallës “Kardinal Mikel Koliqi”, pranë famullisë në Shkodër, u zhvillua prezantimi i librit dhe dokumentarit “Ndoc Jakova – Dëshmi për Jetën e një Martiri”, në bashkëpunim me bibliotekën “Zoja e Shkodrës”.

Autori dhe koleksionisti Andrea Jakova, gjatë fjalës së tij, u shpreh se libri përbën një përmbledhje kronologjike të veprimtarisë atdhetare, politike dhe kulturore të Ndoc Jakovës, duke ndjekur jetën e tij deri në fundin tragjik. Ai theksoi rëndësinë e dokumentimit të këtyre figurave për të ruajtur kujtesën historike dhe identitetin qytetar.

Ndërkohë, famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj, vlerësoi figurën e Ndoc Jakovës si një dëshmi të gjallë të besimit dhe sakrificës, duke theksuar se ai e provoi me jetën e tij të vërtetën e Zotit dhe të vetë jetës.

Aktiviteti u ndoq nga të pranishëm të shumtë, duke u kthyer në një moment reflektimi mbi vlerat, historinë dhe figurat që nuk duhen harruar në kujtesën e Shkodrës.