Një hap i ri drejt digjitalizimit të shërbimeve kulturore në Shkodër është hedhur me lançimin e platformës online për Kinema “Republika”, një iniciativë që synon të lehtësojë aksesin e qytetarëve në aktivitetet kinematografike.
Lajmi u bë publik përmes një postimi të kryebashkiakut Benet Beci, i cili theksoi se tashmë përmes faqes http://www.kinemarepublika.com, qytetarët mund të blejnë dhe rezervojnë biletat online, duke shmangur radhët dhe duke zgjedhur lehtësisht orarin e preferuar.
Pas këtij projekti qëndron i riu shkodran Fation Mashi, i cili ka qenë ideatori dhe programuesi i platformës. Sipas të dhënave, atij i janë dashur rreth tre muaj punë intensive për ta ndërtuar këtë sistem, duke sjellë një produkt funksional dhe bashkëkohor për qytetin.
31-Vjeçari shkodran, ka përfunduar studimet për Shkenca Kompjuterike në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, dhe ky projekt përbën një nga iniciativat e para që lidh drejtpërdrejt teknologjinë me institucionet kulturore lokale.
Platforma nuk kufizohet vetëm në rezervimin e biletave. Një nga veçoritë më interesante është mundësia që përdoruesit të votojnë për filmat që dëshirojnë të shfaqen, duke krijuar kështu një ndërveprim të drejtpërdrejtë mes publikut dhe programacionit të kinemasë.
Ndërkohë, projekti pritet të zgjerohet më tej me ndërtimin e aplikacionit për Android dhe iOS, si dhe me integrimin e Inteligjencës Artificiale, çka synon të personalizojë përvojën e përdoruesit dhe të rrisë efikasitetin e shërbimit.
Ky duket se është hapi i parë i një nisme më të gjerë që synon modernizimin e faqeve dhe shërbimeve online të institucioneve në Shkodër, duke e afruar qytetin gjithnjë e më shumë me standardet digjitale bashkëkohore.
