Në ambientet e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u çel ekspozita e parë për këtë vit, e dedikuar fotografes polake Zofia Rydet dhe projektit të saj “Regjistri Sociologjik”.
Ekspozita prezanton një nga sipërmarrjet më të rëndësishme dokumentare të fotografisë së shekullit XX, të nisur nga Rydet në vitin 1978, kur ajo vendosi të dokumentonte jetën e përditshme përmes brendësisë së shtëpive. Për afro tre dekada, ajo realizoi mijëra portrete në ambiente familjare, duke krijuar një arkiv të pasur që reflekton kulturën, identitetin dhe transformimet shoqërore në komunitete të ndryshme.
Në ekspozitë u shfaqën rreth 100 fotografi të përzgjedhura nga një fond prej rreth 20 mijë imazhesh, përfshirë edhe ato të realizuara në Shqipëri.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në muajin qershor, ndërsa në ditët në vijim pritet të çelet ajo e ekspeditës etnografike të Rrok Zojzit.
