Rritja e përdorimit të transportit urban në Shkodër po konfirmon efektet pozitive të vendosjes së orareve fikse dhe funksionimit më të rregullt të linjave. Vetëm pak ditë pas nisjes së zbatimit të këtij sistemi, qytetarët raportojnë një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e shërbimit, duke e cilësuar atë më të besueshëm dhe të parashikueshëm për lëvizjet e përditshme.

Sipas administratorit të shërbimit të transportit urban në Shkodër, Melidion Dervishi, ndryshimet kanë dhënë rezultate të menjëhershme. Ai bën të ditur se gjatë javës së fundit është regjistruar një rritje prej 25-30% e numrit të përdoruesve, një tregues i qartë i rikthimit të besimit të qytetarëve ndaj këtij shërbimi.

Kjo rritje pritet të shoqërohet me përmirësime të mëtejshme, ndërsa standardet e reja në transportin urban synojnë jo vetëm eficiencë më të lartë, por edhe një ndikim pozitiv në cilësinë e jetës në qytet.