Në Sallën e Koncerteve të Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” u zhvillua edicioni i 12-të i festivalit lokal të këngës për fëmijë “Akullore Fest”. Publiku i pranishëm ndoqi me interes 14 këngët konkuruese, të interpretuara nga fëmijët dhe të shoqëruara nga kori, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese.
Drejtori organizativ, Anton Kaftalli, thekson rëndësinë e këtij festivali në pasurimin e fondit muzikor të Shkodrës, ndërsa nënvizon se ai shërben edhe si një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e krijimtarisë së muzikantëve të rinj.
Juria e përbërë nga Admir Leka, Lukë Mllugja dhe Manjola Zoga vlerësoi me çmimin e parë këngën “Ëndërro”, interpretuar nga Nergis Fani, me muzikë, tekst dhe orkestrim të Artion Qamilit.
Për fëmijët pjesëmarrës, ky festival nuk është vetëm një garë, por edhe një përvojë e veçantë artistike që u jep mundësinë të shprehin talentin dhe të përjetojnë emocionet e skenës.
“Akullore Fest” vijon të pasurojë traditën muzikore të qytetit dhe të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për talentet e vegjël.
