Në Festivalin e Shkencave, tre maturantë nga gjimnazi “Jordan Misja” në Shkodër – Anxhelo Babani, Rikardo Ahmataj dhe Ilario Sokoli prezantuan një projekt inovativ që synon parandalimin e përmbytjeve urbane, një ndër problematikat më të ndjeshme për qytetin.
Projekti i tyre bazohet në një sistem inteligjent me sensorë që monitorojnë në kohë reale nivelin e ujit në zonat problematike. Në rast rreziku, sistemi gjeneron sinjale alarmi, duke mundësuar reagim të shpejtë nga institucionet dhe qytetarët, si dhe minimizimin e dëmeve.
Ky projekt vjen si një zgjidhje konkrete dhe e aplikueshme për realitetin e Shkodrës, duke treguar se të rinjtë jo vetëm identifikojnë problemet, por janë edhe pjesë e zgjidhjes.
Në një qytet që përballet shpesh me përmbytje, iniciativa të tilla dëshmojnë potencialin e madh të brezit të ri për të sjellë ide dhe teknologji në shërbim të komunitetit.
