Ëndrra e Shqipërisë për të qenë pjesë e Botërorit është mbyllur përfundimisht pas humbjes 2-1 ndaj Polonia në transfertën e Varshavës, në një ndeshje ku kuqezinjtë krijuan shumë, por nuk arritën të konkretizojnë.
Takimi nisi me presionin e vendasve, por me kalimin e minutave ishte Shqipëria që mori kontrollin e lojës. Në minutën e 42’, Arbër Hoxha përfitoi nga një gabim në mbrojtjen polake, kaloi portierin dhe zhbllokoi rezultatin për kuqezinjtë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria hyri sërish mirë në lojë dhe pati një mundësi të artë për të dyfishuar me Nedim Bajrami, por mesfushori gaboi përballë portës.
Polonia reagoi në minutën e 63’, kur Robert Lewandowski barazoi me kokë pas një goditjeje këndi. Pak minuta më vonë, Shqipëria pati një tjetër rast të pastër me Pilo, por tentativa e tij u ndal nga portieri vendas.
Menjëherë pas këtij rasti të humbur, erdhi edhe ndëshkimi: në minutën e 73’, Piotr Zieliński realizoi me një goditje nga distanca, duke përmbysur rezultatin në favor të vendasve.
Me këtë humbje, Shqipëria i jep fund matematikisht shpresave për kualifikim në Botëror, ndërsa tashmë fokusi i skuadrës do të zhvendoset te sfida miqësore ndaj Ukrainës.
