Partia Socialiste zhvilloi një mbledhje të zgjeruar të strukturave në qarkun Shkodër, e cila u mbajt në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”. Në fokus të kësaj mbledhjeje që u zhvillua pa praninë e mediave ishte prezantimi i drejtuesit të ri politik për këtë qark, Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi.
Pas prezantimit para strukturave, Karakaçi dha edhe mesazhin e tij për mediat, duke theksuar nisjen e një faze të re organizimi politik dhe objektivin për zgjedhjet e ardhshme.
Në të njëjtën linjë, edhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, përmes një reagimi publik, vlerësoi këtë moment si nisjen e një fryme të re bashkëpunimi në të gjithë qarkun. Ai falënderoi strukturat për kontributin e deritanishëm dhe i uroi suksese drejtuesit të ri në këtë detyrë.
Beci theksoi gjithashtu se transformimi i Shkodrës do të vijojë përmes investimeve dhe mbështetjes së qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë proces me vizionin e zhvillimit “Shkodra 2030”.
