Kosova ka arritur një fitore spektakolare 4-3 ndaj Sllovakia në Bratislavë, duke siguruar një vend në finalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026.
Sfida nisi me golin e shpejtë të vendasve, teksa Milan Valjent kaloi Sllovakinë në avantazh në minutën e 6’. Reagimi i Kosovës ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 21’, Veldin Hoxha barazoi shifrat në 1-1. Megjithatë, para pushimit, Patrik Hrošovský riktheu epërsinë për vendasit, duke mbyllur pjesën e parë 2-1.
Në pjesën e dytë, Dardanët dominuan lojën dhe përmbysën gjithçka. Fillimisht Fisnik Asllani barazoi në 2-2 në minutën e 47’, ndërsa më pas Florent Muslija realizoi një supergol për avantazhin 3-2. Goli i katërt erdhi nga Kreshnik Hajrizi në minutën e 72’, duke i dhënë siguri skuadrës kosovare.
Në fund, David Strelec ngushtoi rezultatin në 4-3, por pa ndryshuar fatin e ndeshjes. Me këtë sukses të madh, Kosova është vetëm një hap larg historisë, pasi në finalen e play-off-it do të përballet me Turqinë, në një sfidë vendimtare që do të luhet në Prishtinë.
