Një nga shërbimet që prej vitesh është përballur me problematika në Shkodër, transporti urban, po hyn tashmë në një fazë të re riorganizimi. Bashkia ka nisur ndërhyrjet me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe rritjen e funksionalitetit për qytetarët.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, inspektoi nga afër linjën e autobusëve, duke theksuar se ky shërbim duhet të përmbushë standardet dhe të jetë në përputhje me nevojat e përditshme të qytetarëve. Ai u shpreh se strukturat përkatëse janë të angazhuara për të garantuar një transport më cilësor dhe të besueshëm.

Në fazën e parë të këtij riorganizimi, linja Fermentim – Bahçallëk dhe anasjelltas do të ofrojë shërbim çdo 20 minuta në çdo stacion, duke synuar lehtësimin e lëvizjes dhe uljen e kohës së pritjes për qytetarët.

Ky është vetëm hapi i parë, pasi në vijim pritet zgjerimi i rrjetit dhe shtimi i linjave të tjera, në funksion të një mbulimi më të gjerë të qytetit.

Paralelisht, Bashkia ka ndërhyrë edhe në infrastrukturë, duke zëvendësuar stacionet e autobusëve dhe duke i përshtatur ato me standarde moderne. Ky investim synon jo vetëm përmirësimin e shërbimit, por edhe krijimin e një hapësire urbane më funksionale dhe dinjitoze për banorët e Shkodrës.

Riorganizimi i transportit urban pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përditshmërinë e qytetarëve, duke e bërë lëvizjen në qytet më të shpejtë, më të lehtë dhe më të organizuar.