Një dokumentar i ri kushtuar figurës së Kolë Idromenos do të ketë premierën në qytetin e Shkodrës. Filmi me titull “Kolë Idromeno – Urë mes Perëndimit dhe Lindjes” do të shfaqet më 11 prill 2026, në orën 17:00, në ambientet e Kinema “Republika”.

Dokumentari sjell në vëmendje jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare, i njohur si arkitekt, piktor, artist dhe muzikant. Përmes dëshmive dhe materialeve vizuale, filmi hedh dritë mbi rrënjët familjare të Idromenos, duke përfshirë edhe lidhjet e tij me Kosovën, si dhe ndikimin e tij në qytetin e Shkodrës.

Ky realizim synon të zbulojë histori të panjohura më parë dhe të ofrojë një qasje më të thelluar mbi kontributin e Idromenos në identitetin kulturor shqiptar. Filmi është i titruar në anglisht, duke e bërë të aksesueshëm edhe për publikun e huaj.

Premiera organizohet me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, Muzeut Historik Shkodër dhe Kinema Republika. Hyrja për publikun është falas dhe pa ftesë.