Poezia dhe arti shkodran kanë kaluar kufijtë, duke u prezantuar në një nga aktivitetet kulturore më të veçanta në Itali. Në qytetin e Firences u zhvillua edicioni i tretë i festivalit të poezisë “Verso Libero”, ku mes artistëve të ftuar ishin edhe dy përfaqësuese nga Shkodra, poetja Arjola Zadrima dhe artistja e muraleve Nermin Shurdha.

Përmes fjalës dhe ngjyrës, dy artistet përcollën identitetin artistik të Shkodrës në një skenë ndërkombëtare. Zadrima vlerëson se pjesëmarrja në një festival të tillë është një mundësi për të afruar poezinë me publikun dhe për ta bërë atë pjesë të jetës së përditshme. Nermin Shurdha thekson rëndësinë e artit urban si një formë komunikimi që tejkalon gjuhët dhe kufijtë.

Pjesëmarrja e artisteve shkodrane në këtë aktivitet e pasuroi më tej prezencën dhe vlerën e artit shqiptar në skenën ndërkombëtare.