Në ambientet e Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër-Pult u zhvillua prezantimi zyrtar i aktiviteteve që do të organizohen në kuadër të 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si Pajtore e Shqipërisë, si dhe shpalljes së Vitit Jubilar Marian në Bazilikën kushtuar asaj.

Në këtë takim morën pjesë Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Arqidioqezës Shkodër-Pult, Dom Artur Jaku, Rektor i Bazilikës së Nanës së Këshillit të Mirë dhe Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Gjatë prezantimit, u theksua rëndësia shpirtërore dhe historike e këtij përvjetori për Kishën Katolike në Shqipëri dhe për mbarë besimtarët, duke e cilësuar këtë vit si një kohë të veçantë hiri, reflektimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore.

Ky vit jubilar pritet të mbledhë besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke e kthyer Bazilikën e Nanës së Këshillit të Mirë në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi dhe përjetimi shpirtëror.

Konferencë për shtyp mbi publikimin e Kalendarit të Vitit Jubilar 2026–2027, më 24 mars 2026, ora 11:30, në ambientet e Arqipeshkvisë së Shkodrës- Pult

Në kuadër të përgatitjeve për kremtimin e 130-vjetorit të shpalljes së Nanës së Këshillit të Mirë Pajtore e Shqipërisë, Komisioni ad hoc, i ngritur nga Arqipeshkvi Metropolit i Shkodrës, në emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe në cilësinë e tij si Ordinar i Dioqezës Shkodër-Pult, ka hartuar dhe miratuar kalendarin zyrtar të aktiviteteve për Vitin Jubilar 2026–2027.

Ky vit jubilar përbën një moment me rëndësi të veçantë për jetën kishtare dhe për identitetin shpirtëror e kulturor të popullit shqiptar, duke synuar ripërtëritjen e devocionit ndaj Zojës së Këshillit të Mirë dhe forcimin e bashkimit në fe.

Ngjarjet qendrore të hapjes së Vitit Jubilar do të jenë: më 25 prill 2026 (vigjilja e festës) do të bëhet hapja solemne e ekspozitës tematike pranë Bazilikës së Nanës së Këshillit të Mirë. Ekspozita do të përmbajë materiale fotografike, historike, dokumentare dhe devocionale, duke ofruar një pasqyrë të thelluar mbi zhvillimin dhe rëndësinë e këtij devocioni ndër shekuj në jetën e Kishës dhe të popullit shqiptar.

Më 26 prill 2026, ora 18:00, do të kremtohet Mesha solemne e hapjes së Vitit Jubilar, e cila do të kryesohet nga Kardinali Rolandas Makrickas dhe bekimi trupores së Nanës së Këshillit të Mirë” realizuar në Itali. Ky kremtim përbën kulmin e ngjarjeve inaugurale dhe një moment me peshë të veçantë në nivel kombëtar kishtar.

Në vijim, programi jubilar parashikon një sërë aktivitetesh me karakter shpirtëror, kulturor dhe akademik. Në mënyrë të veçantë, muaji maj do të jetë një periudhë intensive kushtuar Zojës.
Ndër aktivitetet kryesore përmendet: Konferenca shkencore ndërkombetare, e planifikuar për datën 23 maj, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe ekspertëve, për trajtimin akademik të dimensioneve historike, teologjike dhe kulturore të devocionit ndaj Nanës së Këshillit të Mirë;

Botime me rëndësi historike dhe kulturore, si: revista “Zoja e Shkodrës – Drita e Shqipërisë”, korrespondenca ndërmjet Dioqezës së Shkodrës dhe Italisë mbi ndërtimin e kishës së Zojës, si dhe publikimi për herë të parë i një dorëshkrimi të Atë Marin Sirdanit mbi këtë devocion.

Gjatë gjithë vitit jubilar, kalendari përfshin: Jubiletë tematike, kushtuar grupeve të ndryshme të jetës kishtare: të rinjtë, familjet, meshtarët, të sëmurët, katekistët, universitarët, artistët, diplomatët, si dhe dioqezat, me pjesëmarrjen e Kishës në Kosovë, Mal të Zi dhe të komuniteteve shqiptare në diasporë;

Shtegtime dhe procesione liturgjike, të organizuara sipas një itinerari simbolik që nis nga sheshi pranë hyrjes së Kalasë së Shkodrës dhe përfundon në Bazilikë, të shoqëruara me materiale shpirtërore për pjesëmarrësit;

Veprimtari kulturore dhe artistike, përfshirë një konkurs kombëtar në poezi, pikturë dhe himn, me synim përfshirjen e komunitetit dhe nxitjen e krijimtarisë;
Projekte mediatike dhe promovuese, ndër të cilat realizimi i një dokumentari kushtuar Nanës së Këshillit të Mirë, transmetimi i drejtpërdrejtë i kremtimeve kryesore dhe realizimi i një seri podcast-esh me të ftuar të ndryshëm ku do të rajtohen tematika të ndryshme në lidhje me 130 vjetorin dhe devocionin ndaj Zojës së Këshillit të Mirë.

Komisioni nënvizon se të gjitha aktivitetet do të kenë karakter të hapur dhe gjithëpërfshirës, duke ftuar besimtarët dhe publikun e gjerë të bëhen pjesë e këtij viti të veçantë hiri dhe kujtese.

Ky jubile synon të jetë një udhëtim i përbashkët shpirtëror, që forcon kujtesën historike, gjallëron jetën e fesë dhe hap horizonte të reja për të ardhmen e Kishës dhe të shoqërisë shqiptare.