Ndeshja ndaj Polonisë është në prag për Kombëtaren kuqezi në rrugën drejt Botërorit 2026. Në Shkodër, figurat e lidhura me sportin kanë ndarë opinionet e tyre për këtë përballje, duke e cilësuar si një sfidë të vështirë, por jo të pamundur për t’u kaluar.

Trajneri i moshave, Ersi Çaku, dhe analisti i sportit, Apollon Haxhi, shprehen optimistë për një rezultat pozitiv, pavarësisht nivelit të kundërshtarit. Ndërkohë analisti Fatmir Lugji ka një qasje më skeptike teksa vë theksin te forca e Polonisë dhe vështirësia e transfertës.

Ajo që do të luhet mbrëmjen e 26 marsit, në orën 20:45 do të jetë përballja e 16 mes Polonisë dhe Kombëtares shqiptare me bilancin që flet në favor të skuadrës polake që ka 10 fitore kundrejt 2  të kombëtares sonë, ndërkohë që 3 sfida janë mbyllur në barazim.

Herën e fundit që Kombëtarja Shqiptare dhe Polonia janë përballur mes tyre, më 10 shtator 2023 kuqezinjtë e Sylvinhos e fituan me rezultatin 2-0, një sfidë që ishte e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024 ku Kombëtarja jonë arriti të sigurojë pjesëmarrjen si fituese e grupit të saj.