Sot shënohet 27-vjetori i nisjes së ndërhyrjes ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi, një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Ballkanit.
Më 24 mars 1999, Aleanca Veri-Atlantike ndërmori fushatën e bombardimeve me synimin për të ndalur dhunën dhe krimet që po kryheshin ndaj popullit të Kosovës, në një situatë që po përshkallëzohej me shpejtësi dhe rrezikonte të kthehej në një konflikt edhe më të gjerë rajonal.
Ndërhyrja u konsiderua nga vendet perëndimore si një hap i domosdoshëm për të frenuar spastrimin etnik dhe për të mbrojtur civilët e pambrojtur, ndërsa për Kosovën shënoi fillimin e një kapitulli të ri drejt lirisë.
Në të njëjtën ditë, presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, Bill Clinton, iu drejtua opinionit publik ndërkombëtar, duke argumentuar arsyet e këtij vendimi. Ai theksoi se ndërhyrja kishte si qëllim mbrojtjen e mijëra civilëve dhe parandalimin e një lufte më të gjerë në rajon.
“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë… po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm dhe për të parandaluar një luftë më të gjerë”, u shpreh Clinton në atë kohë.
Ai gjithashtu nënvizoi se përpjekjet për paqe kishin dështuar, pavarësisht se pala kosovare kishte pranuar marrëveshjen, ndërsa Serbia kishte refuzuar dialogun.
27 vite më pas, kjo ndërhyrje mbetet një pikë kthese historike, e cila jo vetëm ndryshoi fatin e Kosovës, por edhe rikonfiguroi balancat politike dhe të sigurisë në rajon.
