Një mbrëmje e mbushur me ndjeshmëri shpirtërore dhe art të lartë muzikor u zhvillua në Sallën “Mikel Koliqi” pranë Katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër, ku publiku pati mundësinë të përjetojë veprën e njohur “Membra Jesu Nostri” të kompozitorit Dieterich Buxtehude.
Nën dirigjimin e Harlen Nikollit, ansambli solli një interpretim të rafinuar të këtij cikli me shtatë kantata, i cili konsiderohet një ndër veprat më të rëndësishme të muzikës baroke me tematikë fetare. Përmes një ndërthurjeje të poezisë latine mesjetare dhe teksteve biblike, kjo vepër vjen si një meditim i thellë mbi Mundimin e Krishtit.
Në këtë koncert morën pjesë artistë të njohur si Anjeza Marku, Anita Kërhani, Gloria Taga, Diego Zelka dhe Noel Prifti, të cilët interpretuan me ndjeshmëri vokale, të shoqëruar nga një ansambël instrumental i përbërë nga muzikantë si Xhudi Dodaj, Xhulia Dodaj, Stela Bello dhe Remino Sula.
Atmosfera e krijuar në sallë ishte e veçantë, ku muzika e epokës baroke ndërthurej me përjetimin shpirtëror të publikut, duke e kthyer këtë aktivitet në një eksperiencë artistike dhe reflektuese.
Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, duke sjellë në Shkodër një tjetër ngjarje kulturore që pasuron jetën artistike të qytetit dhe forcon lidhjen mes muzikës dhe trashëgimisë shpirtërore.
