Një tjetër premierë teatrore pritet të ngjitet në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Shfaqja “Pesë fytyrat e heshtjes”, me regji të Ilir Bokshit, do të jepet për publikun në datat 21 dhe 22 mars, në orën 19:00.
Para premierës, këtë të shtunë u zhvillua një konferencë për mediat, ku drejtori i teatrit, Gert Palali, dhe regjisori Ilir Bokshi ndanë detaje mbi tematikën e shfaqjes, duke theksuar rëndësinë e saj artistike dhe mesazhin që përcjell. Ata gjithashtu ftuan publikun shkodran të jetë pjesë e kësaj premiere.
Në skenë do të interpretojnë aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Ina Morinaj, Uratë Shabani, Nikolin Ferketa dhe Fritz Selmani. Shfaqja rekomandohet për publikun mbi 16 vjeç, ndërsa biletat mund të rezervohen pranë Teatrit “Migjeni”.
