Në një ditë me simbolikë të veçantë, më 21 mars, Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down, u promovua libri “Unë jam Aroni, nuk jam budalla”, një udhërrëfyes për prindërit e fëmijëve me autizëm.

Libri mban autorësinë e Dr. Megi Vjerdha-Shllaku, pedagoge e Pedagogjisë Speciale në Universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe psikologe klinike, e specializuar në çrregullimet e spektrit autik. 

Ky botim sjell një qasje ndryshe ndaj autizmit, duke vendosur në qendër njohjen dhe pranimin e fëmijës, përballë paragjykimeve që shpesh ekzistojnë në shoqëri.  Autorja thekson rëndësinë e marrëdhënies prind–fëmijë dhe fuqinë e mbështetjes emocionale në zhvillimin e tyre.

Në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e gjimnazit “Atë Pjetër Meshkalla”, morën pjesë prindër, mësues dhe profesionistë të fushës ndërsa pjesë e tij ishte edhe Banda e PAK “The Door Albania” të cilët përshëndetën të pranishmit.