Vllaznia do të përballet me Dinamon në një nga ndeshjet më interesante të Javës së 29-të në “Abissnet Superiore”, në një duel që shkon përtej pikëve dhe merr edhe ngjyrat e rivalitetit mes dy trajnerëve, Edi Martini dhe Ilir Daja.

Kuqeblutë, që kryesojnë kampionatin së bashku me Elbasanin, janë shfaqur optimistë në konferencën për mediat një ditë para sfidës, duke besuar te një tjetër rezultat pozitiv për të ruajtur kreun. Mbrojtësi Gurishta u shpreh edhe për mungesën e Kastratit.

Statistikat e përballjeve të fundit favorizojnë Vllazninë. Në 14 ndeshjet e fundit zyrtare mes dy skuadrave në kampionat dhe kupë, shkodranët kanë fituar 7 takime, ndërsa Dinamo ka marrë 4 fitore, me 3 sfida që janë mbyllur në barazim.

Takimi Vllaznia-Dinamo do të zhvillohet të shtunën në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku pritet një atmosferë e zjarrtë dhe mbështetje e madhe për kuqeblutë.