Një ditë pas aksionit për shembjen e objekteve pa leje në zonën turistike të Shirokës, ka nisur puna për pastrimin e mbetjeve inerte të krijuara nga prishja.
Bashkia Shkodër ka ndërhyrë menjëherë për të larguar mbetjet në qendër të Shirokës, duke synuar lirimin e hapësirave publike dhe rikthimin e një pamjeje të pastër e të rregullt për këtë zonë shumë të frekuentuar, veçanërisht në këtë periudhë me fluks të shtuar turistësh.
Aksioni i një dite më parë u realizua nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat vendore, ku u shembën dy objekte që po ndërtoheshin pa leje. Ndërhyrja erdhi pasi këto ndërtime ishin evidentuar gjatë fazës së punimeve dhe ishin bllokuar më herët nga autoritetet.
Autoritetet theksojnë se aksionet kundër ndërtimeve të paligjshme do të vijojnë, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi. Në lidhje me këtë rast, Policia e Shkodrës ka proceduar penalisht dy shtetas.
