Një ditë para festës së Fitër Bajramit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, përcolli një videomesazh për besimtarët myslimanë përmes rrjeteve sociale, duke ndarë mesazhe reflektimi, solidariteti dhe vëllazërie.
Në fjalën e tij, Sytari vlerësoi muajin e shenjtë të Ramazanit si një periudhë të rëndësishme shpirtërore, ku besimtarët përmes agjërimit, lutjes dhe vetëpërmbajtjes afrohen më shumë me Zotin.
Ai theksoi se kjo kohë shërben për pastrimin e shpirtit, forcimin e besimit dhe rritjen e ndjenjës së përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit, ndërsa Fitër Bajrami përfaqëson shpërblimin e këtij përkushtimi dhe një moment gëzimi për të gjithë besimtarët.
Myftiu i Shkodrës ndau gjithashtu mesazhe solidariteti dhe vëllazërie, duke i ftuar qytetarët që në këtë ditë feste të jenë më pranë njëri-tjetrit, veçanërisht pranë atyre që kanë më shumë nevojë.
Arqipeshkëvia Shkodër-Pult uron besimtarët myslimanë
Në të njëjtën frymë, Arqipeshkëvia Metropolitane Shkodër-Pult përcolli një mesazh urimi për komunitetin mysliman përmes një letre zyrtare.
Në këtë mesazh, theksohet rëndësia e muajit të Ramazanit si një kohë përkushtimi shpirtëror, reflektimi dhe veprash të mira, duke nënvizuar vlerat universale që kjo periudhë promovon.
Arqipeshkëvia vlerëson Fitër Bajramin si një festë gëzimi dhe falënderimi, e cila i fton besimtarët të hapin zemrën për paqe, mirësi dhe ndarje të gëzimit me familjen, miqtë dhe ata në nevojë.
Gjithashtu, në mesazh vihet në dukje tradita e vyer e bashkëjetesës fetare në vendin tonë, duke e konsideruar këtë festë si një moment që forcon respektin, mirëkuptimin dhe harmoninë mes komuniteteve.
Në përfundim, përcillet urimi që kjo festë të sjellë paqe, shpresë dhe bekime për të gjitha familjet dhe për mbarë shoqërinë shqiptare.

