Bashkia Shkodër organizoi iftarin tradicional, duke mbledhur në një mbrëmje të veçantë përfaqësues të institucioneve, komunitetit dhe besimtarë, në një atmosferë respekti, harmonie dhe bashkimi.

Ky aktivitet, tashmë një traditë e përvitshme në qytet, u zhvillua në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit, një periudhë që rikujton rëndësinë e solidaritetit, mirëkuptimit dhe përkushtimit ndaj njëri-tjetrit. Gjatë kësaj mbrëmjeje, të pranishmit ndanë momente reflektimi dhe bashkimi, duke vënë theksin tek vlerat që forcojnë komunitetin dhe bashkëjetesën në Shkodër.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në fjalën e tij, nënvizoi rëndësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe forcimit të lidhjeve mes komuniteteve. Ndërsa, Zëvendësmyftiu i Shkodrës, Arben Halluni, u ndal te mesazhi shpirtëror i Ramazanit, duke theksuar rëndësinë e besimit, paqes dhe solidaritetit në shoqëri.

Në këtë iftar u vu theksi edhe tek parimet që udhëheqin angazhimin institucional në të mirë të qytetit dhe qytetarëve të tij. Në përfundim të mbrëmjes, u përcollën urime për një agjërim të lehtë dhe të pranuar për të gjithë besimtarët myslimanë.