Nga Antuana Drishti
Më 17 mars 2026 kujtojmë 100-vjetorin e lindjes së Tonin Rrotës, kompozitorit dhe pianistit të shquar shqiptar, djali i piktorit shkodran Simon Rrota. Për mua, vajzën e tij, ai nuk ishte thjesht një artist, ai ishte tingulli i pianos që më rriti, energjia e përditshme që mbushte shtëpinë tonë, dhe një baba i dashur, komunikues dhe i paharueshëm.

Formimin e tij artistik ai e mori në Shkodër, ku ishte pjesë e bandës muzikore të Shkollës Françeskane, dhe aty nisi rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare. Gjatë viteve 1950–1960, Tonin Rrota udhëhoqi aktivitetin artistik në Shtëpinë e Kulturës në Kuçovë (ish-qyteti Stalin), ndërsa nga 1960 deri në 1971 kontribuoi në Peshkopi, duke krijuar një oaz kulturor dhe duke lidhur qytetin me muzikën dhe artin. Në vitin 1971, ai filloi punë në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku drejtoi arkivin artistik, duke ruajtur pasurinë më të madhe të trashëgimisë muzikore shqiptare.

Nga shumë kompozime muzikore, krijimet e tij më të njohura kanë mbetur përgjithmonë pjesë e zemrës së publikut shqiptar: “Jepma mollen” (1964), me tekst të Tefë Krroqit, që u bë hit i menjëhershëm. “Këngët e popullit tim” (1981), me tekst të Betim Muçosdhe interpretuar nga Vaçe Zela, që pushtoi zemrat e publikut dhe vazhdon të frymëzojë breza të rinj.
Ai nuk ishte thjesht një kompozitor, ishte një njeri energjik, komunikues, plot pasion për muzikën dhe jetën, dhe për mua një baba i dashur dhe i paharueshëm. Çdo tingull i tij, çdo krijim, çdo kujtim në familjen tonë tregon për dashurinë e tij për artin dhe për njerëzit që e rrethonin.

100 vite pas lindjes, muzika e Tonin Rrotës vazhdon të tingëllojë, jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe në kujtesën tonë personale, si një dhuratë e përjetshme nga babai im për botën.

Në vitin 2001 Këshilli Bashkiak i qytetit të Peshkopisë e vlerësoi babain tim, Tonin Rrota me titullin e lartë “Qytetar Nderi”.
