Nga Dom Simon Jubani

“Deri sa të marr frymë, njeriu jeton herë në dritë, herë në hije, herë në të zezë, herë në të bardhë, herë në thellësi humnerash e herë ndër rrethe të qiellit. Në se ndonjë piktori do t’i teke me e pikturue simbolikisht jetën teme, do t’i duhej me ble një kalë boje të zezë. Pa harrue veç edhe ngjyrën e arit, sepse kudo që kam marrë frymë, terri asht ça gjithmonë nga rrezja e përditshme e Hostes.

Gjithsesi, me më pyetë cila asht dita me zezë, kishe me u përgjegjë pa u mendue dy herë: asht dita kur mora lajmin se më kishte dekë nana, mbasi kishte kja Dom Lazrin e helmuem e djalin e vogël, lidhun me zinxhirë, mbyllë në një birucë të largët, ku s’kishte mujtë kurrë me hy. Ma vonë më treguen se rrinte gjatë në dritore, zhytë në heshtim, tue shikjue malet që e dajshin prej djalit të vet të vogël, të hekuruem veç pse besonte në Zotin e shpallte me za të naltë të drejtat e lirisë e njeriut, nëpërkambë prej sundimtarëve të djeshëm, bash njatyne që po na sundojnë edhe sot pa u shqetësue fare me i mbyllë plagët e vjetra, madje tue u mundue me hapë sa ma shumë plagë të reja.

Sa do të ishte gëzue po të kishte kenë gjallë deri me 4 nanduer 1990 e të më kishte pa në kapelën e djegun të vorrezave të Rrëmajit, të sekuestrueme, të dhunueme e të shpallun monument kombëtar, ndriçue prej dritës së zbehtë të qirave të purgatorëve, tue kremtue të parën Meshë publike në praninë e 200-300 besimtarëve. Ishte një ditë e zymtë nandori. Cikërronte shi. Pikat rrëshitshin si lot nëpër petalet e luleve vjeshtarake mbi vorre. S’ishin ma lot morti, po lot gëzimi. Lajmojshin epokën e re, lirinë e fesë, që filloi me një fjalim të improvizuem të një meshtari të laskaruem burgjesh, të kundërshtuem prej të huejve e prej të vetëve, i cili kishte në qafë vetëm stolin e breme të jetës e në dorë, misalin e vjetër latinisht. Kështu fillonte lidhja e fijes së këputun!“