Aktorja e njohur e Teatrit “Migjeni”, Mirjam Bruçeti, sot e ndan jetën mes Francës dhe Shkodrës, vendlindjes së saj të dashur. Çdo rikthim në qytetin ku u rrit dhe ku ndërtoi jetën artistike, është i mbushur me emocione të thella, me mall dhe kujtime që e shoqërojnë në çdo hap.

Ajo vjen shpesh në Shkodër paksa e heshtur, e përmalluar dhe ndonjëherë edhe me lot në sy. Kërkon të zgjojë kujtimet e dikurshme, të rikthejë në mendje skenën, rolet dhe njerëzit që i dhanë kuptim jetës së saj artistike. Por edhe kur kthehet në Francë, rrugëtimi i saj mbetet i mbushur me kujtime të pafundme.

Në jetën e saj artistike, Mirjam Bruçeti pati fatin të interpretojë në shumë pjesë teatrore përkrah bashkëshortit të saj, aktorit Viktor Bruçeti, një artist i talentuar dhe me një diapazon të gjerë interpretativ.

Ajo kujton me emocion: “Veçanërisht pas viteve 2000 interpretuam me Viktorin në pjesë dhe spektakle si ‘Mesazhi i dashurisë’, ‘Prifti dhe Kryetari i Bashkisë’, ‘Prona’, etj., në Francë. Ndërsa në Kanada interpretuam poezitë e Camajt, Fishtës dhe Mjedjes. Janë kujtime të bukura dhe të pashlyeshme me Viktorin. Janë pasuri e vyer, janë kujtesë.”

Nga mësuese në aktore

Mirjam Bruçeti (Topçija) lindi më 15 mars 1949 në lagjen Perash të Shkodrës. Shkollën 7-vjeçare e kreu në “Ali Laçej”, ndërsa të mesmen në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka”, në vitin 1966.

Po atë vit filloi punën si mësuese në Pukë, ndërsa më pas punoi në Vrakë dhe në Shtëpinë e Fëmijës Parashkollor, gjatë viteve 1968–1970.

Dashuria për artin e çoi drejt Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, ku studioi për dramë gjatë viteve 1970–1973. Pas përfundimit të studimeve, në gusht të vitit 1973, ajo filloi punën si aktore në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku do të interpretonte për gati tre dekada, deri në vitin 2000.

Mbi 60 role në skenë

Gjatë karrierës së saj, Mirjam Bruçeti interpretoi më shumë se 60 role në dramë dhe komedi, duke u bërë pjesë e jetës kulturore të qytetit. Përveç skenës teatrore, ajo u shqua edhe si recituese dhe prezantuese në aktivitete kulturore dhe artistike.

Ndër rolet e saj në teatër përmenden:

“Mysafiri i natës” (1973) – roli i Selvijes

“Fytyra e dytë” (1973) – roli i Dudijes

“Djem të mbarë” (1974) – roli i Danës

“Luani i shtëpisë” (1976) – roli i nënës

“Lulet e shegës” (1977) – roli i Havasë

“Jehona e një dite shkurti” (1977) – roli i Davës

“Nora” (1978) – Plaka e dytë

“Gjaku i Arbrit” (1981) – Zonja e madhe

“Portreti” (1983) – Amalia

“Një fund i tillë” (1985) – Liria

“Shtëpia e Bernarda Albës” (1986) – Magdalena

“Shtegtim në ankth” (1989) – roli i Nicës

Ajo interpretoi gjithashtu edhe në komeditë “Tri halla e një tul” (Mitrovicë, 2015) dhe “Një krisëm armiqësore” (Mitrovicë, 2016).

Kontribut edhe në kinematografi

Përveç teatrit, Mirjam Bruçeti dha kontribut edhe në kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në disa filma, ndër të cilët: “Dëshmorët e monumenteve”, “Midis dy dasmave”, “Thesari”, “Mysafirë të paftuar”, “Flutura në kabinën time”, “Flaka e maleve”, “Rruga e lirisë” dhe “Militanti”.

Një aktore me botë të veçantë

Edhe pse nuk ishte ndër aktoret që kërkonte gjithmonë vëmendjen e publikut, profili i saj artistik tregon një aktore të veçantë dhe të dallueshme në brezin e aktoreve të Teatrit “Migjeni”.

Në personalitetin e saj u ndërthurën harmonishëm fisnikëria e mësueses dhe ndjeshmëria e aktores, cilësi që ajo i shfaqi në çdo rol. Sytë e saj shpesh flisnin më shumë se fjalët, edhe në momentet kur personazhi heshtte.

Një nga rolet më të kujtuara është ai i Danës në dramën “Djem të mbarë” të Fadil Krajës, rol me të cilin ajo mbrojti edhe diplomën. Dana e Mirjamit sillte në skenë një ndjesi pranvere, një delikatesë të brishtë që i jepte jetë gjithë ansamblit të aktorëve.

Po aq i rëndësishëm mbetet edhe roli i Nicës në dramën “Shtegtim në ankth”, të autorit dhe regjisorit Serafin Fanko, sipas motiveve të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë. Në këtë rol ajo arriti një interpretim të fuqishëm dhe dinjitoz, duke i dhënë figurës dimension njerëzor, epik dhe stoik.

Një udhëtim mes kujtimeve

Sot, në udhëtimet e saj mes Francës dhe Shkodrës, Mirjam Bruçeti nuk udhëton vetëm. Ajo shoqërohet nga kujtimet e roleve, nga skena, nga njerëzit dhe nga vendlindja.

Ajo i zgjon këto kujtime, bisedon me to dhe jeton me to si një mënyrë për të vazhduar dialogun me jetën artistike që e bëri atë një nga figurat e respektuara të teatrit shkodran.